Vegime
Mundohem t’i jap mallëngjimit tim trajtën e fytyrës sate,
Kujtimit të asaj mbrëmjeje Nëntori,
Kur të gjeta prapë,
Pasi kisha vite duke të kërkuar.
Dhe prapë më ike,
Nëpër gishtërinj,
Si era që lëkundte zjarrin që kisha ndezur buzë bregdetit në jug-lindje të Tokios,
Që më kujtonte një tjetër bregdet,
Kur unë e ti ishim bashkë.
E një tjetër zjarr.
Se kur ishim bashkë,
Ndjeja njëkohësisht,
Paradoksalisht,
Edhe kohën që do të na ndante,
Edhe pamundësinë e kohës për të na ndarë,
Se nuk imagjinoja dot,
Mëngjese që zbardhin pa ne.
A vdes për MUA?, më pëshpërit, nëpër gjumë,
“Jo”, them, “por vdes për NE”.
Paradoksalisht.
Por ti mbase nuk e di,
Por unë vdes edhe vetëm për Ty.
Nuk të shkrova më,
Jo se të kisha harruar,
Jo!
Por se nuk doja që dora ime e përthyer,
Të zgjatet për të ledhatuar faqet tua,
Si hëna,
E të mbeteshe, edhe më, peng i prekjes sime.
Jo se konstalacionet qiellore luajnë rol,
Por akrepit më se shumti i dhëmb,
Helmi i vet.
E vërteta është se më ka marrë malli.
Malli për dorën tënde mbi timon,
Kur bota zhdukej ngadalë nga dritarja e pasme e makinës,
Malli për qeshjen tënde,
Që më bënte të ndjeja,
Atë krenarinë e vogël,
Të të thënit diçka të zgjuar.
Kur të vdes,
Dua te varrosem në një fshat të harruar mes malesh,
Dhe në funeralin tim,
Nga të njohurit,
Të vije,
Fikall e vetme,
Macja ime,
Naoko.
E vetmja që më kuptonte,
Pa fjalë./*54745756836*/