Harta
12 vjet më parë.
Ndërkohë që shokëve e shoqeve,
U pëlqen të aktrojnë si të lezetshëm,
Te mahisin njëri-tjetrën me snobizëm,
Ti ndjen se diçka mungon,
Se ata nuk kanë përgjigjet që të duhen,
Se duhet të bësh këtë copë rruge pa ta.
Dhe kështu,
Bash kur arrin te dera e restorantit me katet që rrotullohen,
Ku ata kanë vendosur të dalin për kafe,
Ty këmbët të tradhtojnë,
Midis ndjenjës se nuk përket aty,
Dhe dëshirën për të përkitur diku.
Bën të kthesh,
Por hapat nëpër natë,
Të braktisin,
Si hëna ka braktisur qiellin.
Dëshira për të përkitur,
Diku,
Kudo,
Fiton.
Dhe porta hapet.
Fiton,
Sepse djali që mund të këtë përgjigjet që ti do,
Akoma s’është mësuar të flas me vajzat.
Ndërkohë që sytë e të dashuri tënd,
Që është mësuar shumë herët të flas me vajzat.
Flirton me shoqet tua.
Ti e di që këtu nuk përket.
Por ai djali tjetër,
Akoma mendon se,
“A studiojmë bashke për testin në biologji?”
I bije,
Se dëshiron të studiosh bashkë për testin në biologji.
E ai, nuk e di si studiohet bashkë,
Sepse tërë jetën e ka bërë i vetëm.
Ai nuk e di se të studiosh bashkë,
Është mënyrë për të krijuar ura,
Midis dy adoleshentëve që s’dinë si t’i flasin njëri-tjetrit .
Ai nuk e di se i njëjti material me të cilin gjithë jetën ka ndërtuar mure,
Mund të përdoret edhe për ura.
Ti je vajzë, që po bëhet grua.
Ai është fëmijë,
Që duhet të përsos artin e vdekjes,
Shumë herë,
Për tu bërë,
Më në fund,
Burrë.
Dhe kjo do kohë.
Më vonë,
E vetme,
Por e gjallë,
Ti akoma nuk e di,
Se të shijosh një cigare,
Me një kafe,
Në verandë,
Mund të ta lehtësoi barrën e ekzistencës.
Por,
Si Kulombi e Amerika,
Ti do të gjesh mbretërinë tënde,
Do të njohësh shpirtin tënd,
Do të dish të hapësh atë frekuencën brenda gjoksit tënd,
Që të lejon të vallëzosh edhe mbi xhama të thyer,
Siç po vallëzon tani,
12 vjet me pas.
Sepse, ndonjëherë,
Te ngatërrosh New Jorkun,
Me New Delhin,
Është gjëja më e bukur në botë.
Ai që jo shumë kohë më pas,
U bë “ishi”,
Akoma flirton rrugëve,
Me vajza,
Sepse ai s’është mësuar kurrë të flas me gratë.
& ai tjetri,
Akoma pi nga gotat e thyera të së shkuarës.
Por tani e bën,
Duke shkruar vargje,
Skicuar harta me përllogaritje matematike,
E dëgjuar,
Gjysmë melodi,
Shoqëruar me fjalët,
“I don’t want to wait in vain for your love”.
Dhe, duke pyetur mos kjo është shenjë e fatit,
Pasi që analizon në mendje,
Çfarë brendi i cigareve tregon për njeriun,
Merr kafenë dhe del në verandë.
Ndërkohë që dielli lind mbi Tokio,
I lejon vetës të imagjinojë,
Çfarë do të ndodhte,
Sikur ti,
Të ngatërroje,
Atlantikun,
Me Paqësorin.
12 vjet me pas./*54745756836*/